EN

NOSCI

Nënshkruesit e parë të Marrëveshjeve të Mirëkuptimit për Shkencën e Hapur

POSTUAR ME 18 Janar 2023

Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH) filloi nënshkrimin e Marrëveshjen të Mirëkuptimit për Shkencën e hapur me
Universitetet dhe institucionet e tjera të kërkimit shkencor.

Me firmosjen e Memorandumit të mirëkuptimit i është hapur rruga për ngritjen e NOSCI-t shqiptar.

Rekomandimi mbi Shkencën e Hapur është miratuar unanimisht nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në sesionin e saj të 41-të në Nëntor 2021. Për të adresuar problemet me të cilat po përballet sot bota, ekziston një nevojë urgjente për qasje të barabartë në informacionin shkencor dhe për ndarjen e njohurive shkencore, të dhënave dhe protokolleve brenda dhe jashtë komunitetit të kërkueseve shkencor. Rekomandimi për përqafimin dhe aplikimin e shkencës se hapur, fuqizon potencialin transformues të shkencës për reduktimin e pabarazive ekzistuese në shkencë, teknologji dhe inovacion. Miratimi i këtij Rekomandimi nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s ka nevojë për një kornizë ligjore kombëtare për shkencën e hapur, dhe shprehjen e një vullneti të përbashkët, të cilin e përfaqson ky memorandum, për të forcuar bashkëpunimin shkencor kombëtar e ndërkombëtar.

Institucionet e Arsimit të Lartë, si aktorë kryesorë të përfshirë në aktivitete të kërkimit shkencor, janë të ftuar t’i bashkohen këtij memorandumi si hapi i parë i përqafimit të parimeve udhëzuese të mëposhtëme për shkencën e hapur:

  •  Promovimi i një kuptimi të përbashkët të shkencës së hapur, përfitimeve, sfidave, si dhe rrugët e ndryshme drejt shkencës së hapur

  •  Zhvillimi i një mjedisi politikash të favorshme për shkencën e hapur

  • Investimi në infrastrukturë dhe shërbime që kontribuojnë në shkencën e hapur

  •  Investimi në trajnime, arsimim, shkrim-lexim dixhital dhe ngritjen e kapaciteteve, për t’u mundësuar studiuesve dhe palëve të tjera të interesuara të marrin pjesë në shkencën e hapur

  • Nxitja e një kulture të shkencës së hapur dhe përafrimi i stimujve për shkencën e hapur

  • Publikimin e të dhënave të hapura

  • Promovimi i qasjeve novatore për aplikimin e shkencës së hapur në faza të ndryshme të procesit të kërkimit shkencor

  • Promovimin e bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar, dypalësh e shumëpalësh në kontekstin e shkencës se hapur me synimin për të reduktuar hendekun e njohurive dixhitale dhe teknologjike.